Pas vdekjes së dy pacientëve në Deçan të Kosovës, të lidhur me helmimin nga uji i çezmës, ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili në një deklaratë për mediat kosovare është shprehur se dy vdekjet në 24 orët e fundit në vend nuk kanë lidhje me rastet e helmimit nga uji i linjës.

Gjatë një vizite në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, ai deklaroi se qeveria ka hartuar një listë barnash që do të trajtohet me prioritet.

“Raportet e para që i kemi marrë të dielën kanë qenë shqetësuese. Pa asnjë rast fatal deri më tani, dy rastet e vdekjes që i referoheni s’kanë të bëjnë me rastet që po flasim”, ka thënë Vitia.

Më herët gjatë ditës së sotme, mediat kosovare shkruanin se kanë ndërruar jetë 2 persona të lidhur me rastet e helmimit të mbi 900 personave në Deçan nga uji i rubinetit.

Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”. Ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) deklaroi dje se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshuara të baktereve.

Megjithatë, drejtori i IKSHPK, Naser Ramadani, deklaron testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator, duke shtuar se shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

fax