Reshjet e dendura të ditëve të fundit të shoqëruara me shkarkime nga Heci i Banjës të cilat arritën deri në 100 metër kub për sekondë, sollën sërish prurje të mëdha në lumenjtë e qarkut Fier.Prurjet në kuota të larta në lumin Seman, sollën prezencë uji në sipërfaqe të konsiderueshme bujqësore të kultivuara me kultura të stinës  në disa fshatra, por më problematike situata paraqitet në fshatrat Petovë dhe Mbrostar të bashkisë Fier. Banorët thonë se është e treta herë radhazi që përmbyten brenda disa muajsh duke u shkaktuar dëme të parikuperueshme në ekonomitë e tyre bujqësore teksa fajësojnë njëzëri shkarkimet e pakontrolluara.

Përveç tokave bujqësore, për të tretën herë janë përmbytur edhe banesa. “Jetoj prej 25 vitesh në këtë zonë”, thotë Sulo Tafa, “por një përmbytje të tillë nuk e kemi parë asnjëherë”. Ai tashmë ka shpërngulur edhe familjen, në kushtet e lagështirës, ndërsa thekson se me një dëm të tillë, dhe pa ndihmën e shtetit, tashmë është në kushtet e mbijetesës.Pas situatave të ngjashme të regjistruara gjatë muajve janar dhe nëntor, dëmet e njëpasnjëshme kanë rënduar më tej gjendjen ekonomike në zonë.

Ardit Murataj