Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas përfundimit të hetimeve nga ana e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit katër ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit.

Basha shprehet se sot çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot si Rama ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave.

Ai ka publikuar deklaratën e drejtorit të policisë së shtetit në atë kohë Ardi Veliu i cili mbronte teorinë se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk ishin konstatuar sende të kundraligjshme.

“Çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave. Vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Para drejtësisë duhet të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën. Asnjë ushtar politik i sotëm apo i djeshëm i Suel Çelës nuk mund të manipulojë të vërtetën e kësaj ngjarje, ku policia dhe krimi u bënë bashkë për të blerë vota dhe që fatkeqësisht çoi në viktima”, shkruan Basha.