Gërmimi arkeologjik i shpëtimit në varrezën prehistorike të Himarës ka nxjerrë në pah të dhëna interesante për shekullin e 11 para Krishtit. Në fushatën e gërmimeve që u zhvillua përgjatë gjithë muajit Tetor të këtij viti, u zbulua dhe dokumentua tuma e tretë. Ajo paraqet elemente unikale të arkitekturës së ndërtimit të kodërvarreve, në raport me kodërvarret e tjera të njohura dhe studiuara deri më tani në vendin tonë.
Sipas Ministrisë së Kulturës, krahas varreve që përmbante kjo tumë u gjetën edhe disa objekte arkeologjike, ku ndër objektet më të ruajtura veçohet një enë balte dhe një majë heshte e periudhës së Hekurit të Hershëm (Shek. XI-X p.Kr). Tumat prehistorike të Himarës konsiderohen si monumentet më befasuese të periudhës së Bronzit dhe Hekurit në Bregdetin Jonian. Kultura e dokumentuar në varret e tumave të Himarës është e njëjtë me atë të pjesës tjetër të Ilirisë. Tuma ndodhet në shtratin e përroit të Korramit, ndërsa puna për gërmimin arkeologjik të shpëtimit të varrezës tumulare në Himarë, ka nisur që në vitin 2018 nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Specialistët tashmë po punojnë për konservimin dhe rimbulimin e strukturave dhe varreve të tumës, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mundshme nga prurjet e përroit përgjatë muajve të dimrit.