Banorët e Bërxullës prej muajsh vijojnë protestën duke kundërshtuar çmimin e shpronësimeve për tokat e tyre, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës Thumanë-Kashar. Ata thonë se shteti nuk po zbaton ligjin dhe çmimet e shpronësimeve janë qesharake.
Gjatë ditës së sotme banorët u mblodhën në protestë, ndërsa dy prej tyre hipën në shtyllën e tensionit të lartë në shenjë kërcënimi dhe sensibilizimi për autoritetetet, të cilave u kërkojnë t’i trajtojnë me dinjitet të plotë dhe sipas ligjit.
Pas disa orësh negocimesh, dy prej banorëve që kishin hipur në shtyllën e tensionit të lartë zbritën në tokë, por njëri prej tyre ka shfaqur probleme si pasojë e rrezatimit elektrik dhe më pas u desh ndërhyrja e autoambulancës, e cila e transportoi qytetarin për ndihmë në QSUT.
Ai foli për Fax News pasi ka marrë ndihmën mjekësore , ndërsa tha se shteti po i sorollat dhe nuk po u jep zgjidhje kërkesave të tyre.
Protestuesi nga Bërxulla, Dritan Zeneli tha se nuk ka frikë nga askush dhe është i gatshëm ta mbrojnë pronën deri në vetëflijim.
Ai kërkoi nga ministrat dhe zyrtarët t’i vënë gishtin kokës dhe të zbatojnë ligjin dhe të heqin dorë nga dhunimi psikologjik.
“Gjendja ime është më e stabilizuar dhe më mirë, pas këtij akti kisha tension të lartë dhe pasi mora vendimin për të zbritur, mendojmë se kemi dhe familje dhe prindër. Pronat tona do ti mbrojmë dhe do ti mbrojmë me gjak. Kisha zhurmë në kokë, sepse ka rrezatim të lartë dhe tensioni është shumë i lartë. Në QSUT mora ndihmën e parë dhe ndjehem më mirë. Kemi tre muaj që protestojmë dhe nuk kemi marrë asnjë zgjidhje. Nuk ka transparencë në shpronësime”, tha ai.