Një sy që sheh përtej pamjes, si Armando Babani. Në një botë ku gjithçka rrjedh shpejt e harrohet lehtë, ekzistojnë disa sy që nuk shikojnë, por ndiejnë. Dhe ndër ta është objektivi i Armando Babanit.
Nga zjarri i protestave në bulevard, te heshtja e ngulitur në fytyrën e një fëmije pas hekurave të një dritareje. E ndërkohë që politika lëviz me shpejtësi, Babani kap qetësinë para stuhisë apo ndoshta pas saj. Çdo shkrepje e tij është një thirrje për kujtesë. Në rrjete sociale, fotot e tij ndahen, komentohen, jetojnë jetë të dyta. Por për të, ato janë vetëm dëshmi.
Në një bisedë rreth 5 fotove më të dashura të karrierës së tij apo më domethënëse, Babani zbuloi për herë të parë fabulën e fotos së kryeministrit Rama duke ngrënë makarona. Ai tregoi në Ftesë në 5 se kanë qenë në një ekspozitë së bashku, dhe më pas kanë konsumuar bashkë ushqim, në një tavolinë me shumë veta.
Në këtë moment kur Rama zgjodhi të konsumojë makaronat, shkrepja e Babanit nuk mungoi, ndonëse nuk e kishin menduar se do të bëhej aq virale.