Një rast tronditës që ka ngjallur protesta është regjistruar në Shangai, pasi një person u deklarua i vdekur por më pas u zbulua se ai ishte gjallë.
Sipas The Guardian, gjashtë persona janë nën hetim në Shanghai pasi një banor i shtëpisë së të moshuarve u deklarua gabimisht i vdekur, u fut në një ‘çantë’ ku mbahen kufomat, por punonjësit e morgut vunë re se ai ishte ende gjallë.
Ngjarja, që ndodhi të dielën pasdite, është filmuar dhe pamjet u përhapën shpejt në internet, duke shkaktuar një reagim të furishëm në qytetin i cili ka qenë nën një bllokim të rreptë për pesë javë për shkak të shpërthimit të Omicron.
Rasti ka shkaktuar gjithashtu shqetësime për sistemin e mbingarkuar mjekësor të qytetit.
Në pamjet që qarkullojnë në internet, shihen punonjës shëndetësorë me veshjet mbrojtëse kundër koronavirusit duke nxjerrë çantën me trupin e të moshuarit nga furgoni i morgut për ta vendosur në një barrelë dhe futur tek shtëpia e funeraleve. Ata shikojnë brenda saj dhe shpejt kuptojnë se personi brenda është gjallë.
Incidenti u konfirmua nga zyrtarët e qarkut Putuo, që thanë se hetimet kishin filluar.
Pesë zyrtarë, përfshirë drejtorin e shtëpisë së kujdesit dhe një mjek, janë shkarkuar nga puna dhe vënë nën hetim.
Shtëpia e të moshuarve në Shanghai Xinchangzheng ka kërkuar falje, ndërsa shtëpia funerale thuhet se lavdëroi punonjësit e saj që vunë re se personi ishte ende gjallë dhe i shpërbleu ata me 5,000 juanë (600 Paund) secili.
Media shtetërore tha se pacienti i moshuar ishte transferuar në spital dhe po merrte trajtim për shkak të koronavirusit.
Incidenti tronditi njerëzit në Kinë.
“Po sikur ky incident të mos kapej nga qytetarët e Shangait?” tha një komentues, shkruan The Guardian.