Humbja e orientimit të shoferit për shkak të gjendjes së infrastrukturës, duke përfshirë rrugën, tabelat dhe sinjalistikën, është ky versioni i fundit i  ekspertëve bullgarë lidhur me shkakun e aksidentimit të autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona, pjesa më e madhe shqiptarë.

Ky është mendimi i dy ekspertëve nga Qendra Evropiane për Siguri Rrugore, Diana Rusinova dhe Krassimir Georgiev, shkruan Dnevnik.

Kjo medie raporton se ata mbrëmë kanë kryer një eksperiment me një autobus të ngjashëm në itinerarin e mjetit të aksidentuar. Ata nuk kanë mundur të arrijnë në vendin e aksidentit pasi rruga është ende e mbyllur.

Megjithatë, edhe para këtij aksi, gjendja e “shënjimeve dhe sinjalistikave është, për ta thënë butë, e keqe”, tha Georgiev. Sakaq ekspertët theksojnë se ky është një version i shkakut të aksidentit, por mund të ketë edhe arsye të tjera, të cilat mund të dalin gjatë hetimeve në vijim.

Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë, në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit. Në mesin e viktimave janë gjithsej 12 fëmijë, përfshirë dy vëllezër binjakë nga 4 vjeç.

Shumica e udhëtarëve ishin turistë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë. Shtatë persona kanë shpëtuar dhe janë dërguar me djegie në spital. Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Kosova kanë shpallur tre ditë zie pas kësaj tragjedie.