Një dite me pare DPSHTRR priti rastet e para të personave që kanë humbur të gjitha pikët e lejes së drejtimit, për shkak të shkeljeve të ndryshme.
Me aktet e reja në fuqi, për të rifituar të drejtën e patentës, personat që kanë humbur të gjitha pikët e patentës, duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë, e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë!
Nga 13 persona që duhej të bënin provimin ditën e djeshme, u paraqitën vetëm 6 aplikantë dhe që të 6-të nuk e morën testin e teorisë, çka i ridërgon ata nga e para në Autoshkollë për t’u ripërgatitur dhe për t’u riparaqitur për testim brenda një afati 30 ditor (me vetëm 1 mundësi prove).
Blendi Gonxhe, drejtori i DPSHTRR thotë për Gazetasi se njoftimi në drejtori vjen pasi janë kryer shkallët e apelit në polici apo gjykatë.
Shkeljet kryesore janë përdorimi i alkoolit, kalimi me semafor të kuq, drejtimi i automjetit nën efektin e lëndëve narkotike si dhe manovra rreziku.
Ai shton se personat që rifuten në testim, do të survejohen gjatë testimit me dy-tre fish kontroll “sepse personat konsiderohen përsëritës, agresiv në timon dhe rrezik për aksidente”.
Më tej Gonxhe shpjegon se për personat që humbin pikët do të ketë edhe komision dytësor me short, pa paralajmërim dhe gjithashtu për personat që kanë humbur pikët sepse kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike bëhet verifikim me analiza toksikologjike dhe pranohen në provim vetëm nëse janë pastruar.
Të gjithë do të kenë vetëm një mundësi provimi, jo pesë siç është kur merr patentën për herë të parë.
Ato bëjnë 7 ditë autoshkollë dhe kanë 30 ditë afat për të bërë provimin dhe nëse ky afat shkelet, ata e humbin mundësinë, duke e filluar autoshkollën nga fillimi.
Edhe nëse personi nuk e kalon teorinë apo praktikën në atë 1 tentativë, përsëri e humb mundësinë për të marrë patentën duke u rikthyer nga fillimi me autoshkollën.
Pagesat dhe regjistrimi do të bëhen çdo herë njësoj si herën e parë.
Thënë kjo, 6 personat që ditën e djeshme humbën provimin e teorisë, do të paguajnë nga fillimi autoshkollën për të ribërë provimin.
Në provim janë 30 fjali dhe e kalon nëse bën më pak se 3 gabime.
Gonxhe thotë se pjesërisht drejtuesit nuk dinë teorinë dhe pjesërisht mendojnë se mund ta marrin atë edhe pa mësuar, pa u përgatitur më parë.
“Janë njerëz që bëjnë shkelje sepse mendojnë se mund të shpëtojnë dhe janë po ato që mendojnë se mund ta rimarrin teorinë me para, kështu as nuk mundohen të lexojnë diçka para provimit. Është mentaliteti”, përfundon Gonxhe.