Thirrjet për një tubim masiv të bëra nga kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi duket se janë dëgjuar nga demokratët, të cilët kanë zbritur në sheshin para Parlamentit për të protestuar pas publikimit të investigimit nga Rai 3 për lidhjet e kryeministrit Edi Rama me krimin.
Ashtu siç edhe pritej, opozitarët kanë përgatitur një skenar të ngjashëm me protestat e përjavshme para Bashkisë së Tiranës.
Ata mbajnë në duar pankarta me titujt e të gjitha raportimeve të mediave të huaja ndër vite për lidhjet e qeverisë Rama me bandat dhe zyrtarët e korruptuar.
Ndërkohë që policia ka marrë masa duke pajisur efektivët që kanë formuar kordonin me fikëse zjarri dhe maska kundra gaz, duke i paraprirë hedhjes së mundshme të molotovit protestuesit e kanë rrethuar hyrjen e Parlamentit me pirgje gomash, të cilave do t’u vihet flaka.
Mbi to shihen edhe pankarta me fytyrën e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, ish-ministrave Fatmir Xhafaj, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka apo ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri, i cili u arrestua nga SPAK dhe iu sekuestrua pasuri me vlerë mbi 3 milionë euro.