35-vjeçari Juri Ymeraj është arrestuar nga autoritetet italiane, pasi rezultonte i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Sipas informacioneve nga komunikata për shtyp e Drejtorisë Vendore të Policisë së Shtetit, Juri Ymeraj, 35 vjeç akuzohet nga GJKKO për disa vepra penale.

Policia thotë se Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ndaj 35-vjeçarit.

Ndërkohë vijon bashkëpunimi me Interpol Romën, për të finalizuar ekstradimin e 35-vjeçarit, në Shqipëri, thotë Policia.

Ymeraj gjithashtu rezulton i përfshirë edhe te dosja e SPAK për inceneratorin e Fierit.

Njoftimi i policisë: Policia e Shtetit/ Arrestohet në Itali, për t’u ekstraduar në vendin tonë, një 35-vjeçar i akuzuar nga GjKKO-ja, për pastrim parash.

Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Policia e Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe shkëmbimit të menjëhershëm të këtij informacioni, nga Interpol Tirana me Interpol Romën, Policia italiane arrestoi në Padova, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin J. Y., 35 vjeç.

Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Vijon bashkëpunimi me Interpol Romën, për të finalizuar ekstradimin e 35-vjeçarit, në Shqipëri.