Prindërit e të riut Indrit Çelaj që u vra teksa montonte një kondicioner në 2019, kanë kundërshtuar vendimin për dënimin e autorit me 21 vite burg.
Baftjar dhe Burbuqe Çelaj ka thënë se ndaj Griseldo Kusit duhet të merret dënimi maksimal, sepse sipas tyre ai ka vrarë një njeri pa bërë asnjë faj brenda shtëpisë.
“Autori nuk mund të marrë 21 vite burg pasi vrau një njeri brenda në shtëpi pa bërë asnjë faj. Kërkojmë dënim maksimal për autorin, me këtë vendim na vranë për herë të dytë. Krimi është dashur të fshihet. Mua s’më ka thirrur as prokuroria dhe as policia. Të bëhet drejtësi dhe i bëj thirrje dhe SHBA dhe ambasadës të vërë dorë. Unë e kam kundërshtuar gjykimin e shkurtuar. Ose te jepet vendim i drejtë ose s’e pranojmë”, këto janë fjalët që kanë deklaruar prindërit e viktimës.
Ata kanë kërcënuar se nëse nuk vendoset drejtësi, ata do të detyrohen të bëjnë vetëgjyqësi.
“Nëse e jep kjo gjykatë do ta çoj në Apel, në Gjykatë të Lartë, deri në Hagë do ta ndjek”, shtojnë ata.
Tekniku i kondicionerëve, Indrit Çelaj u vra me armë zjarri mesditën e 22 gushtit 2019 pasi u konfliktua me vëllezërit Kusi.
Shkak i debatit ishte montimi i një kondicioneri që viktima kishte kryer në vilën e familjes Kusi në Tiranë.
Ora News