Babai i personit të akuzuar për tentativën për të vrarë romancierin Salman Rushdie është mbyllur në shtëpinë e tij në Libanin jugor dhe po refuzon të flasë me askënd, ka thënë kryebashkiaku i qytetit, Ali Tehfe.

I dyshuari për sulmin e së premtes në shtetin e Nju Jorkut është identifikuar nga policia si 24-vjeçari Hadi Matar nga Nju Xhersi. Ai është deklaruar i pafajshëm. Matar është me origjinë libaneze dhe familja e tij vjen nga qyteti jugor i Libanit, Yaroun.

Tehfe tha se prindërit emigruan në Shtetet e Bashkuara dhe Matar lindi dhe u rrit atje, por babai i tij u kthye në Liban disa vite më parë.

“Babai i tij është tani në vend, por ai është mbyllur dhe nuk pranon të japë asnjë lloj deklarate për askënd. Ne u përpoqëm me të, dërguam njerëz, shkuam dhe trokitëm derën, por ai nuk pranon të flasë me asnjë”, tha Tehfe për Reuters.

Një zyrtar nga grupi i armatosur libanez Hezbollah i mbështetur nga Irani tha të shtunën se grupi nuk kishte informacion shtesë për sulmin ndaj Rushdie.

“Ne nuk dimë asgjë për këtë temë, kështu që nuk do të komentojmë”, tha zyrtari për Reuters, duke folur në kushte anonimiteti.

Hezbollahu mbështetet nga Irani, udhëheqësi i mëparshëm suprem i të cilit, Ayatollah Ruhollah Khomeini, në vitin 1989 shpalli një fetva, ose dekret fetar, duke u bërë thirrje myslimanëve të vrisnin Rushdie për blasfemi.

Kur u pyet nëse Matar ose prindërit e tij ishin të lidhur ose mbështesnin Hezbollahun, Tehfe tha se ai nuk kishte fare informacion mbi pikëpamjet politike të prindërve ose Matarit. /abcnews.al