Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka kërkuar konfiskimin e pasurive të familjarëve të shtetasit S.A., i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg për vepra në fushën e terrorizmit. S.A., i njohur ndryshe edhe si A.Q., akuzohet se ka ofruar ose ka tentuar të ofrojë mbështetje materiale për individë apo grupe të përfshirë në aktivitet terrorist dhe ka bërë deklarim të rremë për të marrë pasaportë.
Në Shqipëri, ai po hetohet për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, ndërsa hetimet mbi procedimin pasuror nisën nga informacionet e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.
Sipas Prokurorisë, verifikimet kanë treguar se S.A. dhe familjarët e tij kanë kryer transaksione dhe veprime ekonomike në vlera të larta që nuk justifikohen me të ardhurat e deklaruara, duke përfshirë depozita bankare dhe llogari në valuta të ndryshme.
Në bazë të këtyre hetimeve, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të llogarive dhe depozitave të shtetasve Z.A. dhe V.A., me shuma që arrijnë në dhjetëra miliona lekë dhe dhjetëra mijëra dollarë dhe euro.






