Apeli i Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-shefit të Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode që kërkonte pafajësinë.
Ai u dënua me 12 vite por që iu konvertua në 8 vjet heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ai akuzohet për trafik narkotikësh pasi u akuzua nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas nga SPAK për implikim në trafikun e narkotikëve të kryer nga organizata kriminale e drejtuar prej vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj.
Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor të 2019-ës.
Ata u arrestuan nga policia Italiane teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt Italisë teksa paralelisht nisën hetimet edhe në Shqipëri, bazuar edhe në hetimet e drejtësisë italiane përfundoi në burg ish-ministri Tahiri, pasi u dënua me vendim të formës së prerë për “shpërdorim detyre” me 3.4 vite burg.
Ndërkohë akuzat e SPAK ndaj Tahirit për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal u rrëzuan si të paprovuara. Bashkë me Tahirin nga SPAK u ngritën akuza edhe për punonjësin e policisë Gjergji Kohila dhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ky i fundit i dënuar për shpërdorim detyre së bashku me Tahirin.