Policia ka bërë të ditur se është arrestuar në Itali dhe më pas ekstraduar në vendin tonë një person i dënuar për vrasje.
Mësohet se në pranga në Itali është vënë Besnik Lamçja, 40 vjeç, i cili është dënuar me 25 vjet burg për një vrasje të ndodhur në Tiranë 22 vite më parë.
“Pas marrjes së informacionit nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, për vendodhjen e një personi shumë të kërkuar, si dhe falë shkëmbimit në kohë të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bë e mundur kapja në Itali dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
– Besnik Lamçja, 40 vjeç.
Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në datën 27 qershor 2000, në vendin e quajtur “Magazinat e tregtisë”, në rrugën “Siri Kodra”, Besnik Lamçja, në bashkëpunim me shtetasin E. Ç., ka vrarë me armë zjarri shtetasin G. U.”, njofton policia.