Një qytetare ka denoncuar për Fax News se i ka dhënë personelit mjekësor në spitalit Infektiv 50 mijë lekë, në mënyrë që ti shërbenin babait të saj që ishte i shtruar, ndërsa mëngjesin e sotëm ka marrë lajmin se ai kishte ndërruar jetë.
Qytetarja mes lotëve tregon se e ka pasur babanë të shtruar prej të martës së kaluar, dhe mëngjesin e sotëm e kanë lajmëruar se kishte vdekur.
“I dhashë 50 mijë lekë, i dhashë që të ma ushqenin, as nuk e di fare se çfarë ishte, infermiere apo jo se ato vishen të gjitha njësoj. Sot kisha ardhur që ti sillja ushqimet, më vonë më thanë që kishte vdekur”, tregon mes lotësh për gazetaren Fjona Çela qytetarja nga Lushnja.
Ndërkohë situata në vendin tonë prej ditësh është e vështirë, me spitalet Covid që janë të tejmbushura, e me mjekët që janë duke punuar përtej kapaciteteve të tyre. Gjatë ditës së sotme pritej një deklaratë nga Komiteti i Ekspertëve mbi ecurinë e masave, por që derimë tani nuk ka pasur asnjë mbledhje.
Zyrtarisht sipas MSH-së deri dje në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtoheshin 662 pacientë, 49 në terapi intensive, nga të cilët 14 pacientë janë të intubuar. Ajo që vlen të theksohet është se në këto shifra nuk përfshihen rastet e dyshuara me Covid, që trajtohen, api rastet post-covid që mund të kenë nevojë për trajtim spitalor.