
Vrasja e 32-vjeçarit shqiptar Roan Brahimi tronditi Athinën, ku pamjet e trupit të pajetë të tij, zunë faqen e parë të mediave helene.
Atentati mafioz i kryer nga dy persona që janë afruar me motor dhe më pas kanë qëlluar në lëvizje Brahimin, ka angazhuar në veprime hetimore dhe policisë shqiptare, e cila ka asistuar me informacion policinë e Athinës. Brahimi kishte udhëtuar nga Dubai në drejtim të Athinës, për të festuar pashkët me djalin e tij, por lëvizjet kanë rënë në sy të kundërshtarëve, të cilët e kanë monitoruar më së miri.
Emri i Roan Brahimit ndodhet në kartotekat kriminale të policisë, si i dyshuar në disa ngjarje të rënda nga dy atentatet ndaj Ylli Brahimit, vrasjen e Manecit, hasmërinë e gjakmarjes me familjen Gjeloshi në Lezhë dhe deri tek dyshimet për pjesëmarjen e tij tek masakra e mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë Diklen Vata, Briland Martinaj dhe Besmir Hoxha.
Për herë të parë emri i Roan Brahimit u lançua në media nga ish-Drejtori i Policisë së Lezhës, Olti Bistri, i cili gjatë një njoftimi në muajin dhjetor 2021 tha se kishte shpallur në kërkim Roan Brahimin, Ramazan Rrajën, nipin e ish-deputetit të PS Rahman Rraja dhe Alesio Dobruzin si autorët e terrorit të ushtruar me armë zjarri në ambjentet e një bilardoje.
Tre personat ikën me shpejtësi nga Rinasi në drejtim të Dubait, duke mos u arrestua nga policia. Ndërsa pak muaj më vonë çështja kundër tyre pushohet në prokurorinë e Lezhës. Hetuesit në Shqipëri thonë se vrasja e Roan Brahimit, vjen si pasojë e një sage eliminimesh fizike, që ka nisur qysh prej vitit 2014 në qytetin e Lezhës dhe konflikti vijon të qëndrojë i hapur, duke marrë jetë njerëzish.
Pista kryesore e ekzekutimit të Brahimit në Athinë lidhet me një histori të vjetër gjakmarrje, mes dy familjeve Prendi dhe Gjeloshi.
