Një grabitje me dhunë ka ndodhur gjatë orëve të natës në fshatin Spiten të Lezhës, ku persona të paidentifikuar kanë hyrë për të vjedhur në banesën e çifit të bashkëshortëve Gjergj e Vitore Doçi.
Burime bëjnë me dije se Gjergj e Vitore Doçi janë goditur me qytën e armës tip kallashnikov, dhe janë dërguar për kurim në spitalin e Lezhës.
Deri tani janë shoqëruar 10 persona që dyshohen si autorë, ndërkohë që Policia ka mbledhur provat materiale që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Zyrtarisht thuhet se grabitësit kanë marrë një sasi lekësh dhe aparatë celularë të bashkëshortëve.
Policia thotë se ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të Lezhës, ndërkohë që gjendja e çiftit që ka mbetur i plagosur nuk bëhet me dije.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 24.05.2021, pas mesnatës, në fshatin Spiten, Lezhë, jemi njoftuar nga shtetasi Gj.D., se dy persona të paidentifikuar kanë vjedhur në banesën e tij duke i dhunuar atë dhe bashkëshorten shtetasen V.D.,47 vjeçe, një sasi lekësh dhe 2 aparate celularë.
Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.
Gjithashtu, janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.