Pa shprehur pendesë se vrau vëllain dhe kunatën, Arsen Muskurti pranoi autorësinë e krimit të dyfishtë. Teksa u mor në pyetje nga grupi hetimor, 38-vjeçari deklaroi se konfliktet e tyre kanë qenë të hershme dhe të shpeshta. Pikënisja ishin debatet për shkak të pronësisë së agjencisë së udhëtimit, e cila drejtohej nga dy viktimat Dritan Muskurti, i njohur edhe me emrin Alban, 44 vjeç dhe bashkëshortja e tij Nora, 33 vjeçe.

Më tej, ai i sqaroi hetuesve se konfliktet vijuan për çështje nderi. Arsen Muskurti akuzonte vëllain, Dritanin se bashkë me të shoqen kishin hapur adresa false në emër të tij dhe e ofendonin në rrjete sociale. Pikërisht për këtë gjë, 38-vjeçari disa herë kishte bërë kallëzim në polici.

Dy ditë më parë, mes tyre ishte shënuar një tjetër konflikt i ashpër për parkimin e makinës. 38-vjeçari tashmë do të hetohet për dy vepra penale, “Vrasja në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave dhe armëmbajtje pa leje.

Pasi vrau vëllain dhe kunatën, 38-vjeçari Arsen Muskurti armën e krimit e fshehu në kasafortën e këtij dyqani, i ndodhur vetëm 10 metra larg agjencisë së udhëtimeve në oronësi të dy viktimave. Arma tip pistoletë u sekuestrua nga policia, pasi bashkëshortja e autorit i tregoi kodin e kasafortës grupit hetimor. mësohet se pak orë para se kryente vrasjen, Arsen Muskurti kishte marrë nga Gjykata e Tiranës fletëthirrje për të dëshmuar. Kjo pasi ka pasur një kallëzim nga i vëllai të cilin e vrau. Dritan Muskurti kishte kërkuar urdhër mbrojtje ndaj Arsen Muskurtit, dhe kjo kërkesë do të shqyrtohej pas një jave.

Edhe vitin e kaluar, Dritani kishte kërkuar urdhër mbrojtje që i ishte refuzuar, ndërsa banorë të zonës kishin njoftuar disa herë policinë për 38-vjeçarin për shkak të debateve që kishin me të.

Në sajë të hetimeve të kryera, mësohet se Arsen Muskurti i kishte të vëllait borxh një shumë prej 150 mijë eurosh. Për këtë gjë, viktima kishte hapur proces gjyqësor. Arsen Muskurti kishte kërcënuar edhe avokaten e të vëllait për shumën e parave që i kërkohej. Si besimtar mysliman, 38-vjeçari mësohet se kishte 3 gra.

Dritan Muskurti u qëllua me një plumb në fytyrë ndërsa bashkëshortja e tij Nora kishte marrë 4 plumba në gjoks. Armën e krimit, Arsen Muskurti nuk pranoi ta tregonte në polici se ku e kishte siguruar. /abcnews.al