Dëshmi të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi Visart Cengu, i cili u ekzekutua në lokalin Kobra City në qytetin e Prizrenit.

Personat të cilët ishin ulur në tavolinë me viktimën, miqtë e tij Arben Basha dhe Rufgen Shehu kanë zbuluar dinamikën e krimit të rëndë.

Një familjar i dy të rinjve, ka rrëfyer kronologjinë e vrasjes së 31 vjeçarit dhe plagosjes së Rufgan Shehut.

Ai tha se sherri ka nisur për pagesën e faturës dhe se 31-vjeçari u qëllua pabesisht nga mbrapa në parking, nga pronari i lokalit Dibran Hoxha, i njohur ndryshe si Kobra.

“Janë zënë për një faturë 100 Euro. Këta (tre djemtë) thoshin janë shumë. Këtu ka nisur sherri. Janë rrahur dhe ai “Kobra” doli pabesisht dhe i qëlloi.

Ata nuk kanë qëndruar në lokalin “Kobra” për darkë, por pasi janë kthyer nga darka në një tjetër lokal kanë kaluar aty dhe kanë ndaluar për të pirë një birrë.

E pimë, s’e pimë ndonjë birrë, kot këmbëngulën. Qëndruan vetëm 5 minuta. Janë ngatërruar për faturën në fund. Janë zënë brenda dhe dolën për të ikur. Më pas ai (Kobra) i qëlloi pabesisht në momentin që po iknin.

Përplasja ishte me personelin më pas “Kobra” i qëlloi te parkingu kur po iknin. Mbyllën dyert e makinës dhe tentuan të iknin, ai i ndoqi dhe i qëlloi. Nuk kanë pasur asnjë konflikt tjetër”, -tha familjari i dy personave që arritën që të shpëtonin.