Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka sqaruar vdekjen e 38-vjeçarit Renalt Tomor Tahiri, i paraburgosur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale,“Jordan Misja”, i cili ndërroi jetë më 02/04/2023 në ambientet e qendrës Spitalore Nënë Tereza.Sipas njoftimit bëhet me dije se shtetasi Renalt Tomor Tahiri, është ndjerë keq në ambientete burgut dhe është transportuar drejt qendrës spitalore Nënë Tereza, ku ka marrë mjekim dhe është konstatuar se ishte përdorues i lëndëve narkotike.Gjendja e tij është përkeqësuar dhe më datën 2 prill Tahiri ka ndërruar jetë. Sa i përket njoftimit të familjarëve në njoftim thuhet se kontakti i lënë nga i ndjeri, nuk ka qenë i disponueshëm ndaj edhe familjarët janë vënë në dijeni me vonesë.
Rreth orës 15:30, të datës 01.04.2023, i paraburgosuri shoqërohet për në dhomën e infermierisë, ku i është vendosur serumi dhe vitamino-terapi, sipas rekomandimeve të mjekëve QSUT “Nënë Tereza”.
Rreth orës 20:50 të datës 01.04.2023, i paraburgosuri Renalt Tomor Tahiri i ka kërkur infermierit, për t’i aplikuar një qetësues dhimbje, i cili është aplikuar. Por megjithë mjekimin që mori, gjëndja e tij shëndetësore ka qenë e njëjtë.
Rreth orës 21:50, punonjësit e sigurisë kanë njoftuar urgjentë stafin shëndetësor për shkak të gjëndjes së rënduar të të paraburgosurit. Infermieri ka hyrë menjëherë në dhomën e shtetasit Renalt Tahiri dhe ka konstatuar se gjëndja e tij ishte shumë e rënduar, puls shumë i dobët, nuk komunikonte, i është dhënë ndihma e shpejtë dhe është nisur menjëherë për në urgjencën e QSUT-së. Grupi i shoqërimit është nisur nga institucioni në orën 22:06 dhe ka mbërritur në urgjencën e Q.S.U.T në orën 22:10, datë 01.04.2023.
Gjatë shoqërimit për në urgjencën ka vazhduar kryerja e masazhit kardiak. Në QSUT pacientit i është dhënë ndihma mjekësore, i janë kryer ekzaminimet mjekësore dhe më pas mjeku i urgjencës ka konkluduar se pacienti Renalt Tahiri ka berë eksitus letalis (vdekje), susp. Arrest kardiak në Spitalin QSUT “Nënë Tereza”.
Lidhur me detyrimin ligjor të stafit të burgut për njoftimin e familjarëve dhe të afërmëve në rast vdekje;
Zyra e Informacionit e IEVP Jordan Misja ka siguruar një numër kontakti të familjarëve të të paraburgosurit, të marrë nga dokumentacioni i tij të cilin e kanë thirrur për disa herë deri në orën 00:05 të datës 02.04.2023 dhe ka qenë i padisponueshëm.
Në pamundësi për t’u lidhur me familjarët e të paraburgosurit për ti njoftuar, në orën 00:30 është njoftuar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, të cilës i është bërë me dije dhe adresa e banimit të të ndjerit Renalt Tomor Tahiri. Gjithashtu është njoftuar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria e Tiranës.
Menjëherë pas njoftimit të ngjarjes nga salla operative, një ekip inspektimi i nivelit të lartë të DPB, me Urdhër të Drejtorit të Përgjitshëm, ka inspektuar lidhur me rrethanat e vdekjes dhe zbatimin e procedurave të pranimit, nga ora 23:00 deri në 04:00.
Gjithashtu Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nën drejtimin e Prokurorisë është duke bërë hetimin lidhur me ngjarjen.
Top Channel