Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen Rogoredo të Milanos, zonë e njohur për trafikimin e drogës, ku një 28-vjeçar me origjinë marokene humbi jetën pasi u qëllua nga një oficer policie i veshur civil.Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 në Via Giuseppe Impastato, gjatë një operacioni policor kundër trafikut të drogës. Sipas rindërtimit paraprak, efektivët e policisë po kryenin kontrolle dhe arrestime në zonë, kur një person u afrua drejt tyre duke mbajtur në dorë një objekt që dukej si armë zjarri. Pavarësisht urdhrit për t’u ndalur, ai vijoi përpara, çka e shtyu një nga oficerët të qëllonte.

Plumbi e goditi viktimën në kokë dhe rezultoi fatal. Shërbimet e urgjencës ndërhynë menjëherë, por i riu u shpall i vdekur në vend. Më pas u konstatua se arma që mbante viktima ishte një kopje e rreme e një pistolete Beretta 92.Oficeri që hapi zjarr është vënë nën hetim për vrasje me dashje. Para prokurorit Giovanni Tarzia, ai deklaroi se kishte vepruar nga frika: “Jam ende në shok. Nuk mendoja se do të vrisja. Kur pashë armën, u frikësova dhe qëllova”, ka thënë ai, duke shtuar se errësira dhe distanca nuk i lejuan të kuptonte se arma ishte false.

Viktima, i identifikuar si Abderrahim Mansouri, ishte i njohur për forcat e rendit, me precedentë penalë për drogë, rezistencë ndaj policisë dhe grabitje. Hetuesit dyshojnë se ai kishte rol aktiv në rrjetin familjar të trafikimit të drogës që vepron prej vitesh në zonën e ashtuquajtur “xhungla e drogës” në Rogoredo.

Prokuroria ka hapur një çështje penale për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të vlerësuar nëse veprimi i oficerit përbën vetëmbrojtje. Hetimet po vijojnë, ndërsa policia dhe mjekësia ligjore kanë sekuestruar prova në vendngjarje për rindërtimin e plotë të episodit.