Drama në familjen Senia në lagjen “5 maji” në Elbasan nis në vitin 1998. Arturi asokohe vetëm 26 vjec i grabisin te ardhurat qe me mund për vite të tëra kishte punuar në emigracion.
Pas kësaj drame kaloi në depresion të thellë , situatë të cilën nuk e ka kaluar as sot. Ndonëse krijoi familje dhe aktualisht është babai i dy femijëve të mitur, përkatësisht 7 dhe 8 vjec e përditshmja e tij është e fiksuar në dhomën e ndenjës ku e shoqëron një kasetofon . Ndërsa në tavolinë gjenden të hedhura në mënyrë të shkujdesur letrat e bixhozit dhe një filxhan e një gotë e boshatisur. Jo vetëm që e ka të pamundur të punojë,por përbën dhe rrezik për pjestarët e familjes . Nëna e tij e shqetësuar më së shumti për fëmijët e vegjël kërkon ndihmë.

Prej një viti Arturi nuk merr pagesën për kujdestarinë ,por vëtëm kempin e tij i cili nuk shkon më shumë se 10 mijë leke. Nëna e tij thotë se ato para nuk i mjaftojnë as për nevojat vetjake të të birit, ndërsa fëmijët shpesh mbeten pa u ushqyer.
Fëmijëria për Marsin dhe Denin e vogël nuk i ka ngjyrat e bashkëmoshatarëve të tyre. Lojrat e tyre janë pa shumë zhurëm pasi i druhen reagimit të babait , i cili në shumë raste ka ngritur dorë ndaj tyre.
Përballë kërkesave për ushqim nënë Sabireja edhe pse 75 vjece mbledh kanace rrugëve të qytetit.
E moshuara thotë se disa herë Arturi ka qënë i shtruar në spitalin psikiatrik, por zemra e brishtë e një nëne e ka nxjerrë nga aty. Ndërsa e reja e shtëpisë, nëna e dy fëmijëve nuk pranon të ekspozohet për mikrofonin tonë pasi i druhet paragjykimit të shoqërisë.