Një 35-vjeçar nga Kosova, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze, është arrestuar me qëllim ekstradimi nga policia kufitare në Morinë teksa po tentonte të hynte në territorin e Shqipërisë.
35-vjeçari me iniciale J. K., akuzohet nga gjykata Lokale Sor Rogaland, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Plagosje”. Interpol Tirana ka nisur procedurat në bashkëpunim me homologët në Oslo për të kryer ekstradimin e 35-vjeçarit në Norvegji.
“I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvergjeze, për vjedhje me dhunë dhe plagosje, kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të RSh-së, 35-vjeçari.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kapën në hyrje të RSh-së dhe arrestuan me qëllim ekstradimin, shtetasin kosovar:
J. K., 35 vjeç, banues në Kosovë.
Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Oslo, pasi akuzohet nga Gjykata Lokale Sor Rogaland, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Plagosje”. Interpol Tirana dhe Interpol Oslo do të kryejnë procedurat për ekstradimin e 35-vjeçarit, në Norvegji”, njofton policia.