Biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi ka reaguar pas shpalljes së tij ndërkombëtar nga SPAK, nën akuzën e grupit kriminal dhe pastrimit të parave.

Akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Taçi i ka quajtur të pabaza dhe të pakuptueshme, teksa ka folur për “Albanian Post”.

“Unë nuk arrij ta kuptoj se si mund të nxirret ndaj meje një urdhër i tillë arresti. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt. Është një vendim tërësisht i pakuptimtë”, ka deklaruar Taçi.

I pyetur mbi lidhjen për të cilët flet SPAK me biznesmenin italian Francesco Zummo, sipërmarrësi shqiptar ka deklaruar se ai as nuk e njeh 90-vjeçarin dhe nuk e ka idenë se kush është.

Ndërsa, mbi vendimin, ai deklaroi se do ta ankimojë menjëherë dhe ka vënë në lëvizje avokatët e tij për këtë çështje. Ai ka theksuar se nuk ndodhet në Shqipëri personalisht, por hapat e mëtejshëm do t’i ndjekin përfaqësuesit e tij ligjorë.

Mëngjesin e sotëm, Fax News përcolli lajmin e megaoperacionit mes SPAK dhe Anti-mafias Italiane ku në Shqipëri u arrestuan 2 bashkëpunëtorë të biznesmenit Rezart Taçi i cili sipas informacioneve të dhëna nga SPAK, kishte dalë garant për pastrimin e parave që shtetasit italianë i kishin sjellë në Shqpëri. Të arrestuarit në Shqipëri ishin Artur Balla dhe Bledar Lilo i cili mësohet se është shoferi i biznesmenit Taçi.

Bëhet fjalë për sekuestrimin e 18 milionë eurove të cilat sipas hetimeve, ishin depozituar në një bankë të Tiranës me qëllim që të realizohej pastrimi dhe futja e tyre në treg.

Për biznesmenin Rezart Taci nuk është bërë i mundur ndalimi pasi referuar sistemit “TIMS” rezulton që nuk ndodhet ne shqipëri dhe është jashtë shtetit. Pas miratimit të masës së sigurisë dhe kontrolleve që janë bëre në banesën apo edhe vende të tjera ku dyshohej se ai mund të ishte policia nuk mundi ta gjejejë. Strukturat u vune në lëvizje dhe me urdhët të spak biznesmeni iu derguan gjeneralitetet në interpol duke u shpallur në kerkim ndërkombëtar.

Sipas mediave italiane Francesco Zummo, një sipërmarrës 90-vjeçar nga Palermo, i dyshuar si ortak i ish-kryebashkiakut mafioz Vito Ciancimino (i vdekur në 2002), përfundoi në arrest shtëpiak me akuzat për pastrim parash në kuadër të një hetimi nga Prokuroria Publike e Palermos dhe Prokuroria Shqiptare Kundër Korrupsionit (SPAK).

Është arrestuar edhe kontabilisti Fabio Petruzzella, vëllai i një magjistrati të Palermos, kontabilist me banim në Milano, dyshohet se e ka ndihmuar për të zhdukur 19 milionë euro nga konfiskimi, të cilat janë zhvendosur në një llogari bankare në Tiranë.