Simon Kjaer është padyshim një nga personazhet më të spikatura të Euro 2020, sido që të shkojë aktiviteti për përfaqësuesen e Danimarkës.
Roli i tij në momentet e ankthit për Kristian Eriksen, duke vrapuar për të shpëtuar shokun e skuadrës duke i zhbllokuar frymëmarrjen, duke qetësuar bashkëshorten e tij apo duke udhëzuar shokët e ekipit që të mbronin me trupin e tyre mesfushorin nga sytë kureshtarë, është vlerësuar aag të gjithë dhe jo më kot tifozët në rrjetet sociale e quajnë atë “kapiteni i Euro 2020”.
Vetë Kjaer ka qëndruar i heshtur gjatë këtyre ditëve që nga momenti dramatik, pasi siç shpjegoi trajneri i Danimarkës, ai kishte pësuar një tronditje edhe pse kishte rezistuar si një lider i vërtetë në momentet e vështirësisë në fushë. Megjithatë, ai ka zgjedhur rrjetet sociale për të dhënë një mesazh për të gjithë tifozët, para se skuadra të zbriste në fushë kundër Belgjikës.
“Kemi kaluar disa ditë shumë speciale, ku futbolli nuk ka qenë gjëja më e rëndësishme. Një tronditje, që do të jetë pjesë e imja, do të jetë pjesë e të gjithë skuadrës, përgjithmonë! Gjëja e vetme që ka rëndësi e që vlen është që Kristian është mirë.
Jam krenar se si ne vepruam si skuadër dhe sa të vazhduar ishim mes vështirësish. Jam i ngazëllyer dhe mirënjohës për të gjithë këtë mbështetje që kemi marrë.
Sot, do të zbresim në fushën e lojës ndaj Belgjikës me Kristian në mendimet dhe zemrën tonë. Do të na japë qetësinë që të përballojmë ndeshjen. Ne do të luajmë për Kristian dhe si zakonisht për të gjithë Danimarkën. Ky do të jetë motivimi ynë i madh. Si gjithmonë, do të japim më të mirën tonë”, ishin fjalët e Kjaer.
panorama al