Tritoli ndaj automjetit të efektivit të Policisë së Kavajës, Lulzim Muça, mund të jetë vendosur për shkak të detyrës. Ky është konkluzioni paraprak që ka nxjerrë Policia teksa ka marrë në pyetje kolegun e vet dhe ka parë edhe mënyrën se si është operuar për të kryer krimin, që për fat në momentin e shpërthimit efektivi i Policisë nuk ka qenë në mjet. Lënda është vendosur në anën e shoferit dhe, sipas të dhënave, shpërthimi është bërë me telekomandë, çka do të thotë se autori ka qëndruar në distancë me mjetin, të cilin i ishte vendosur sasia e tritolit.

Policia e Tiranës ka bërë me dije se në garazhin ku ka ndodhur ngjarja, nuk ka kamera sigurie dhe, po ashtu, as përreth pallatit, për të mundësuar verifikimin e ndonjë personi të dyshimtë që mund të ketë hyrë në garazh për të vënë sasinë e lëndës shpërthyese.

Sipas hetimeve, ka dyshime që lënda të jetë vendosur edhe në ndonjë vend tjetër, ndërkohë që është pyetur punonjësi i Policisë për itineraret e së martës dhe të ditëve të fundit. Sipas ekspertëve, lënda plasëse, e cila dyshohet se ka qenë rreth 100 gramë, ishte montuar dhe shpërthimi dyshohet se u bë me telekomandë.

Sipas Policisë, lënda plasëse ishte instaluar në pjesën e poshtme të automjetit tip “Opel”, nga ana e shoferit. I marrë në pyetje, Muça deklaroi para hetuesve se dyshimet i ka për shkak të punës si polic.

Hetuesit dyshojnë se shkak për vendosjen e lëndës plasëse mund të jenë bërë konflikte të mundshme të tij me persona të tjerë kur kryente detyrën. Sipas burimeve nga Policia, po verifikohen disa persona në Kavajë që janë gjobitur në herët nga polici Muça. Policia nuk ka ende persona të dyshuar apo shoqëruar për ngjarjen e rëndë, teksa për zbardhjen e identitetit të autorëve, pritet të hidhet dritë pas dëshmisë së Policit dhe të personave që njohin punonjësin e Policisë.

Për rastin, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një grup në Kavajë, për të hetuar mbi ngjarjen. Lulzim Muça ushtronte detyrën si efektiv i Policisë Rrugore në Kavajë prej katër vjetësh, por kohët e fundit, 26-vjeçari kishte bërë kërkesë për transferim në një tjetër zonë, afër banesës së familjes së tij. Prej 4 vitesh, Muça shërbente në radhët e bluve në Kavajë. I riu nga Përrenjasi e ka nisur karrierën në radhët e Forcave të Armatosura, për të vijuar si efektiv i forcave të rendit dhe më pas ka kaluar te Patrulla e Përgjithshme.