
Kryetari i Partisë Socialiste është ndalur këtë të hënë në Sarandë, me të rinjtë sipërmarrës të këtij qyteti.
Rama tha se pas zgjedhjeve do të vijojnë dhe me punimet në ‘rrugën 6’, teksa nuk i kurseu ironitë kur tha se e kanë lënë në mes, për shkak të ligjit që ndalon punimet publike katër muaj para zgjedhjeve.
“Ore dhe nëse mbylleni në shtëpi katër muaj para zgjedhjeve, prapë kur të fitojmë do thonë i vodhën votat”, tha Rama, duke treguar siguri se mandati i katërt do të fitohet në 11 maj.
“Para se të vinim këtu ne kaluam në rrugën e re që është bërë pjesërisht pedonale dhe pjesërisht ende për makina deri kur të mbyllet investimi te rruga 6, se jeni i vetmi vend në botë që rrugët i keni me numra dhe jo me emra, kjo tregon se llogaritë i keni të para…
Rrugën 6 nuk e nisëm për shkak të ligjit që nuk lejon punime katër muaj para zgjedhjeve, një absurditet më vete, por e kemi bërë edhe ketë edhe pse u thoja këtyre të mive që ore bëjeni, mbylluni edhe në shtëpi katër muaj para zgjedhjeve, por prapë kur të fitojmë do thonë ‘i vodhën’.
Menjëherë pas zgjedhjeve do fillojmë punën, me qëllim që këtë pjesën që kemi shtruar me pllaka ta kthejmë në rrugë këmbësore dhe aksesi për bizneset të jetë vetëm kur marrin furnizime”, tha Rama.
