Në 3 tetor, Zlatan Ibrahimovic do të mbushë 40 vjeç dhe ndryshe nga shumë futbollistë të tjerë që në këtë moshë shijojnë pensionin ose po luajnë sezonin e fundit të karrierës në kampionate të largëta, suedezi po përgatitet për rikthimin në Champions League me Milanin dhe për një kampionat në nivele të larta në Serinë A.
Në një intervistë për “France Football”, Ibra u pyet se si e shikon veten në krahasim me Leo Messin dhe Cristiano Ronaldon, dy yjet më të mëdhenj të futbollit botëror në 15 vitet e fundit.
“Nëse flasim për cilësi, nuk kam asgjë më pak nga ata. Kur kolektivi punon, individi del në pah. Individi nuk mund të jetë i mirë nëse ekipi nuk është në lartësinë e duhur. Unë mendoj se jam më i miri në botë”, shprehet Ibra.
Zlatan Ibrahimovic ka qenë disa herë në listën e kandidatëve për Topin e Artë, por pa e fituar kurrë këtë çmim. Kur u pyet nëse i mungon ky vlerësim, Ibra tha shkurt: “Nuk më mungon, përkundrazi. Topit të Artë i mungoj unë”.
Në fund, Ibra zbuloi edhe se çfarë dëshiron që të bëjë pasi të tërhiqet nga futbolli: “Pasi të mbyll karrierën, dua të zhdukem. Kur jeton kaq gjatë sa unë në botën e futbollit, njeriu e di mirë se çfarë i është dashur të kalojë mendërisht dhe fizikisht. Prandaj, vetëm dua të zhdukem dhe të shijoj jetën”.