Presidenca 5 mujore hungareze e Këshillit të BE-së përfundon në 1 janar, e analistët kanë nisur tashmë të bëjnë bilancin e saj.
Gjashtë muaj më vonë, thonë ata, Viktor Orban mund të thuhet se e shfrytëzoi maksimalisht këtë detyrë me deklarata, dalje publike dhe iniciativa të diskutueshme që kanë shtuar sërish valën e indinjatës. Agjitacioni i tij kundër “burokratëve të Brukselit” arriti nivele të reja, shkruan Keno Verseck i DW.
Kulmi u arrit disa ditë para përfundimit të Presidencës së Këshillit në një deklaratë të rëndë: “Brukseli dëshiron ta kthejë Hungarinë në Magdeburg”, tha Orban më 21 dhjetor gjatë konferencës së tij tradicionale ndërkombëtare për shtyp të fundvitit në BE, duke iu referuar sulmit të kryer nga një mjek arab në Gjermani. Vendi që mban Presidencën e Këshillit të BE-së duhet, të paktën në letër, të promovojë bashkëpunim të mirë dhe harmonik ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe institucioneve të BE-së. Ai duhet të sigurojë vazhdimësinë e agjendës së BE-së dhe të avancojë legjislacionin evropian. Presidenca mund të vendosë prioritete, ama nuk duhet të ndjekë interesat e veta, por duhet të veprojë në interes të komunitetit të shteteve të BE-së, thekson shkrimi. Megjithatë, që në fillim të saj Orban nisi një iniciativë të pakoordinuar diplomatike për t’i dhënë fund “luftës vëllavrasëse sllave”, siç e quan ai luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Katër ditë pas fillimit të Presidencës së BE, ai udhëtoi për në Moskë dhe vizitoi Presidentin rus Vladimir Putin pa koordinim me BE-në dhe NATO-n ku foli për një “mision paqeje”. Tre ditë më parë ai kishte qenë në Kiev për vizitën e tij të parë dypalëshe.
Kryeministri hungarez filloi gjithashtu projektin e tij të dytë të rëndësishëm që në fillim të Presidencës së Këshillit të BE-së. Në frymën e Donald Trump, ai quhet “Make Europe Great Again”, shkurt MEGA, dhe konsiston në themelimin e grupit të djathtë nacionalist-populist “Patriots for Europe” në Parlamentin Evropian.
Top Channel