Asambleja e Partisë Socialiste e Bashkisë Librazhd është mbledhur gjatë kësaj jave dhe ka zhvilluar konsultime serioze me bazën e cila ka propozuar kandidatët për në këshillin e ri bashkiak dhe kandidaturat për kryetar të kësaj bashkie.

Ajo që ka rënë sy gjatë konsultimeve dhe diskutimeve ishte fakti që propozimet për kandidatët për kryetar ishin të shumta dhe në këto propozime dominuan kandidatët që kanë qenë dhe që aktualisht janë drejtues në drejtoritë më kryesore si ajo e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Spitalit, Drejtoria e Zonave të Mbrojtura, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria e Shëndetit Publik si edhe Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit.

Ndërsa kanë munguar propozime të kandidaturave nga shoqëria civile apo personalitete nga fusha të ndryshme. Në këtë listë është përfshirë edhe kreu aktual i kësaj Bashkie, Kastriot Gurra i cili për dy mandate radhazi ka drejtuar Librazhdin duke synuar kandidimin për një mandat të tretë si edhe Kryetarja e PS Librazhd Fatbardhja Qatja.

Interesant është fakti që Asambleja e PS së Librazhdit ka propozuar si kandidat për Kryetar të kësaj Bashkie edhe z.Asllan Musta, një emër mjaft të njohur ky nga bota e biznesit, por edhe mjaft aktiv në politikë ndër vite. Biznesmeni Musta nga fshati Zgosht i Njësisë Administrative Qendër i Bashkisë Librazhd është pjesë e Diasporës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar ku drejton disa kompani të rëndësishme në të cilat punojnë një numër i madh emigrantësh të ligjshëm nga Shqipëria.

Pas propozimit të biznesmenit Asllan Musta si kandidat për Kryetar Bashkie një grup i madh emigrantësh nga Librazhdi që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe iu janë drejtuar bashkëpatriotëve të tyre librazhdas me anë të një mesazhi publik për ta vlerësuar seriozisht dhe për t’i dhënë mbështetjen maksimale.

“Ne vlerësojmë padyshim edhe kandidatët e tjerë që ka propozuar Asambleja e PS, por duke parë angazhimin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij për t’u bërë më e mira për Librazhdin ne si Diasporë shpresojmë që ai të jetë kandidati i përzgjedhur mes atyre që i janë propozuar Kryesisë së PSSH për kryetar i Bashkisë së Librazhdit. Jemi krenarë që një emigrant i njohur për me sipërmarrjet e tij është mes emrave që do përzgjidhen për të garuar për postin e kryetarit të bashkisë në vendlindjen e tij në një kohë që politika po fajësohet për largimet masive nga vendi ynë.
Ne e duam Librazhdin dhe miratimi si kandidat për kryetar bashkie i biznesmenit Asllan Musta do të jetë jo vetëm një sinjal pozitiv, por edhe një mesazh i qartë për të gjithë se në është momenti i duhet që t’i hapet rruga për të qeverisur atyre njerëzve që nëpërmjet punës së ndershme dhe sakrificave të panumërta në emigracion kanë arritur të kenë sipërmarrje të suksesshme edhe në vendet më të zhvilluara”, shkruhet në mesazhin publik të grupit të komunitetit të emigrantëve librazhdas në Diasporë në Britaninë e Madhe.

Lista e propozuar për kandidatë për kryetar bashkie nga Asambleja e PSSH Librazhd

1- Kastriot Gurra
2- Hysni Hoxha
3- Enver Shkurti.

4- Fatmir Brazhda
5- Asllan Musta
6- Bledar Hima
7- Fatbardha Qatja
8- Mariglen Disha
9- Ermal Kurti.

Balkanweb