Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka rrëzuar sot një godinë pesë katëshe të ndërtuar pa leje në fshatin turistik të Dhërmiut.
Me një sipërfaqe ndërtimi prej 2160 metra katrorë, godina e papërfunduar është hedhur në erë me 30 kilogramë lëndë eksplozive sot rreth orës 15:00.
Është ende e paqartë se si u arrit të ndërtohej një godinë kaq e lartë pa leje, në një zonë tepër të lakmuar në jug të vendit, ndërsa nuk dihet as kush është financuesi i ndërtimit.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar më herët se shembja e ndërtimeve pa leje në të gjithë vijën bregdetare do të vijojë.
“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka planifikuar të prishë sot me shpërthim të kontrolluar një objekt 5 katësh (4 kate mbi tokë një nën tokë) pa leje në Dhërmi. Sipërfaqja e ndërtimit të këtij objekti është 2160 metër katror. Për realizimin e operacionit janë hapur 618 furnela (vrima) në trupin e objektit ku do të vendosen 30 kilogramë lëndë eksplozive. Shpërthimi do të kryhet në orën 15.00. Inspektorët e IKMT së bashku edhe me Policinë e Shtetit, kanë marrë masat për lajmërimin e banorëve në afërsi të objektit si dhe për vendosjen e perimetrit të sigurisë”, bën me dije IKMT.