Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Ilir Alimehmeti ka kërkuar rinumërim të votave.
Mësohet se përmes një shkrese të depozituar pranë KQZ, Alimehmeti ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit, duke kërkuar rinumërim të votave ose rivlerësim në qarkun e Tiranës.
Ai më tej thotë se nga monitorimi i këtij procesi si dhe tabelave përmbledhësve rezulton një parregullsi, ku vetëm në një qendër votimi sipas tij 27 vota preferenciale për të i kanë kaluar një kandidati tjetër.
“Duke pasur parasysh faktin që subjekti ynë ‘PD-ASHM’ ka marrë 164,316 vota, rezultati për kandidatët mund të ndryshojë, në kushtet kur diferenca midis meje dhe kandidatit të renditur përpara në listë është tejet e ngushtë, ose rreth 1.2% e numrit total të të gjitha votave të subjektit. Vetëm në QV 1834/00, rezulton se 27 vota preferenciale për Ilir Alimehmeti i janë kaluar një tjetër kandidati, duke u shënuar në tabelën përmbledhëse 0 vota”, shkruan ai ndër të tjera në dokumentin e depozituar.
Kërkesa e Ilir Alimehmetit:
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 1326, datë 24.05.2025, ka miratuar tabelat përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë. Bashkëngjitur këtij vendimi, në tabelën përmbledhëse të rezultatit për subjektin tonë zgjedhor, rezulton se unë, Ilir Alimehmeti, kam marrë 18,128 vota si kandidat i listës së hapur, duke u renditur i dyti nga kandidatët e listës së hapur.
Referuar numrit të përgjithshëm të votave të subjekteve sipas këtyre tabelave, nga listat e subjektit tonë zgjedhor mund të zgjidhet vetëm 1 deputet nga listat e hapura, që referuar parashikimeve të Kodit Zgjedhor me ndryshimet e bëra së fundmi, është kandidati më i votuar.
Gjatë procesit të verifikimit të filmimeve të kamerave nga ana jonë, për një numër të kufizuar të cilat na janë vënë në dispozicion nga administrata e KQZ-së, janë vërejtur disa parregullsi që mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit në mënyrë të ndjeshme. Në këto kushte, po paraqes këtë ankim pranë KAS, bazuar edhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor
Duke pasur parasysh faktin që subjekti ynë ‘PD-ASHM’ ka marrë 164,316 vota, rezultati për kandidatët mund të ndryshojë, në kushtet kur diferenca midis meje dhe kandidatit të renditur përpara në listë është tejet e ngushtë, ose rreth 1.2% e numrit total të të gjitha votave të subjektit. Vetëm në QV 1834/00, rezulton se 27 vota preferenciale për Ilir Alimehmeti i janë kaluar një tjetër kandidati, duke u shënuar në tabelën përmbledhëse 0 vota.
Qendrat e votimit të mësipërme krijojnë bindjen se numërimi ka pasur problematika në të gjithë Qarkun e Tiranës, duke krijuar shkak për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit.
Duke u bazuar në të dhënat e mësipërme, përfundimisht:
KËRKOJ:
Rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit të Qarkut Tiranë;
Ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse sipas rinumërimit dhe/ose rivlerësimit të votave.