Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar hetime lidhur procedimin penal nr.255 të vitit 2020, që ka për objekt të hetimit veprimet e kryera për kontratën e koncesionit nr.6597 prot, datë 31.08.2017, “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë tregtare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, me vlerën e investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në shumën 128,248,330 (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) Euro, pa TVSH.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal ka rezultuar se gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe në gjatë fazës së zbatimit të kontratës koncesionare, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë vepra penale, në lidhje me faktet dhe rrethanat si më poshtë:
Së pari, në lidhje me propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, të përbërë nga shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me shtetasit Lefter Koka në cilësinë e Ministrit të Mjedisit, Alqi Bllako në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit dhe shtetasi Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.125/2103 “Për koncesionet dhe partneritetin publik pritvat”, i ndryshuar, dhe VKM nr. 575, datë 10.07.2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, e ndryshuar.
Anëtarët e komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit. Zyrtarët e mësipërm të Ministrisë së Mjedisit kanë qënë personat përgjegjës që kanë përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimin në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.
Së dyti, në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit me objekt: “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzituese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”, rezulton se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k në pronësi të shtetasit Klodian Zoto, ka qenë në dijeni të rrethanave konkuruese që përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit.
Kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, shtetasi Lefter Koka, shtetasi Alqi Bllako, shtetasja Alba Thoma, shtetasi Bledar Karoli, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare,me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.
Së treti, në lidhje me hartimin dhe miratimin e Dokumenteve Standarte të Koncesionit, anëtarët e Komisionit të dhënies së koncesionit, shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me titullarin e Autoritetit Kontraktor, shtetasin Lefter Koka, Ish Ministër i Mjedisit, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik pritvat”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 575, datë 10.07.2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion,partneritet publik privat”, i ndryshuar.
Dokumentet Standarte të Koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, në kohën që këto dokumente janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik, pasi rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarte të Koncesionit.
Rezulton se Dokumentet Standarte të Procedurës së Koncesionit janë hartuar nga punonjësit e shtetasit Klodian Zoto, pronar i shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, pjesëmarrëse në këtë procedurë koncesioni si aksioner i shoqërisë holandeze “Integrated Energy BV”, i cili ua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit, shtetasve Alba Thoma dhe Bledar Karoli. Në këtë kohë, këto dy shtetas kanë shërbyer si “urë lidhëse” ndërmjet Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë së shtetasit Klodian Zoto. Më pas shtetasi Bledar Karoli, këto dokumente i ka nisur në drejtim të përfaqësuesve të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k. Pasi janë bërë komentet nga ana e përfaqësuesve të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, mbi Dokumentet Standarte të Procedurës, është bërë ngarkimi i dokumenteve në sistemin e prokurimit elektronik nga shtetasja Valbona Ballgjini, Kryetare e Komisionit të dhënies së koncesionit, njëkohësisht me detyrë Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mjedisit.
Nga ana e titullarit të Autoritetit Kontraktor, Ish Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është miratuar vazhdimi i procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit.
Së katërti, në lidhje me studimin e fizibilitetit, anëtarët e Komisionit të dhënies së koncesionit, shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik pritvat”, si dhe në kundërshtim me VKM nr. 575, datë 10.07.2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, i ndryshuar, përsa i përket përllogaritjeve të kostove në studimin e fizibilitetit, duke i marrë kostot nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.
Nga aktet e administruara rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.
Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Komisioni i dhënies së koncesionit, nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare. Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin përllogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët.
Komisioni i dhënies së koncesionit nuk ka bërë përfshirjen e të ardhurave që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Nëse do të ishin përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta, si zë të ardhurash në studimin e fizibilitetit, atëherë do të ishte ulur pjesa e mbulimit që do të kryhej nga shteti.
Së pesti, rezulton se shtetasi Alqi Bllako, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, në mënyrë indirekte, ka përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, vlerën monetare prej 119,755 Euro, me qëllim favorizimin gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, shoqërinë koncesionare “Integrated Energy BV”, në përbërje të së cilës ka qënë aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k. Këtë përfitim të parregullt shtetasi Alqi Bllako e ka siguruar nga shtetasi Klodian Zoto nëpërmjet pagesës për pajisjen “Makineri për mbushjen, mbylljen, vulosjen apo etiketimin e shisheve, makineri për gazimin e pijeve”, me vlerë 119,755 Euro. Kjo pajisje ka shërbyer për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako, operatorin ekonomik “Edmond Bllako” Person Fizik, e cila ka pasur si fushë veprimtarie prodhimin dhe tregtimin e birrës në qytetin Ersekës. Kjo pajisje rezulton të jetë blerë pas kërkesës së bërë nga vetë shtetasi Alqi Bllako, me porosi të shtetasit Klodian Zoto, bërë nëpërmjet shoqërisë së bashkëshortes së tij, Ilza Zoto,“Artemis Farm” sh.p.k.
Po ashtu, rezulton se shtetasi Alqi Bllako, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, i ka kërkuar /propozuar shtetasit Klodian Zoto dhënien e përfitimit të parregullt për shtetasin Vladimir Bezhani, gjatë kohës që ky i fundit ishte Këshilltar i jashtëm i Ministrit të Mjedisit, duke e punësuar atë fiktivisht tek shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k, kjo me qëllim favorizimin e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV”, gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, në përbërje të së cilës ka qënë aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k. Shtetasi Vladimir Bezhani ka marrë përfitimin e parregullt në sajë të pagës së dhënë nga shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, në shumën prej 7,520,000 (shtatë milion e pesëqind e njëzet mijë) lekë.
Rezulton se gjatë kohës që shtetasi Vladimir Bezhani ka shërbyer si Këshilltar i Jashtëm i Ministrit të Mjedisit në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit, ai ka shërbyer si “urë lidhëse” për të siguruar nga Autoriteti Kontraktor dokumentacionin e kërkuar në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit, me qëllim vënien më pas të këtij dokumentacioni në dispozicion të shtetasit Klodian Zoto, që ka shërbyer për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm dhe për t’u shpallur fitues shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”.
Së gjashti, në lidhje me kontratën e koncesionit nr. 6597 prot, datë 31.08.2017, “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur mes Autoritetit Kontraktor, Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të sajë, të themeluar në Holandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.
Nga hetimi kanë rezultuar prova se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, të cilët janë edhe personat përfitues real të kësaj kontrate koncesionare.
Është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k dhe shoqërinë mëmë në Holandë, me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V”, aktualisht “Geogenix B.V”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.
Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se shtetasi Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij, “Integrated Energy Services” sh.p.k, si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Një pjesë e madhe e këtyre vlerave monetare të siguruara në sajë të mashtrimit, janë tërhequr në cash dhe janë transferuar në mënyra të ndryshme jashtë vendit nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, që përbëjnë edhe produkt të veprës penale.
Gjatë hetimit është evidentuar fakti se shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, si akisonerët “de facto” të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, janë personat që kanë përgatitur preventiva të falsifikuara, duke fryrë treguesit në kostot e ndërtimit, të përfshira dhe në studimin e fizibilitetit të paraqitur nga ana e tyre, për fitimin e kontratës koncesionare nr.6597, datë 31.08.2017 me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”.
Së shtati, rezulton se punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, shtetasit Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, si dhe VKM nr.1008, datë 24.12.2020, “Për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente e nga subjektet e detyruara”.
Rezulton se me datë 25.06.2021 janë bërë ndryshimet në regjistrin e QKB, në lidhje me aksionerët e shoqërisë holandeze “GeoGenix” (më herët me emrin tregtar “Integrated Energy BV”). e cila rezulton që të jetë pronare me 100% të aksioneve të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV”sh.p.k. Aksionerët e shoqërisë holandeze “Geogenix BV”, sipas këtij regjistrimi të kryer, janë deklaruar që të jenë shtetasit Giuseppe Ciaffaglione, me shtetësi italiane, përfitues i 30% të aksioneve të shoqërisë GeoGenix, Salvatore Russelli, me shtetësi italiane, përfitues i 25 % të akioneve të shoqërisë GeoGenix, Alberto Presezzi, përfitues i 43% të akioneve të shoqërisë “GeoGenix”.
Në lidhje me regjistrimin e pronarëve përfitues fundor të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, rezulton se nuk është dorëzuar dhe administruar dokumentacioni shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve përkatës për periudhën kohore në fjalë, sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore të përmendura më sipër.
Në lidhje me faktet e mësipërme, janë krijuar dyshime të arsyeshme se:
-Shtetasi Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248, 25 të Kodit Penal.
-Shtetasi Alqi Bllako, Ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë të shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dy herë, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
-Shtetasit Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Etleva Kondi, Alba Thoma, Bledar Karoli, Valbona Ballgjini, Sidita Temali, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Silena Tola, Jetmir Llapaj, dyshohen se kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248, 25 të Kodit Penal.
-Shtetasi Klodian Zoto, dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 143/3, 25, 245 të Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287, gërmat “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.
-Shtetasi Mirel Mërtiri, dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3, 25 i Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287, gërmat “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.134, datë 07.12.2023, të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale,ndaj personit nën hetim L.K, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim A.B, i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 260, 260 të Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim E.M, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim T.T, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim N.S, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim B.K, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim J.Ll, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim K.Z, i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 143/3, 25, 245, 287/2 i Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim M.M, i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 143/3, 25, 287/2 të Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim P.A, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim E.K, e dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim V.B, e dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim A.Th, e dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim S.T, e dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim S.T, e dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar masën e sigurimit personal të vendosur ndaj shtetasve L.K, A.B, P.A, T.T, N.S, B.K, J.Ll, E.K, V.B, A.Th, S.T, S.T.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.