
Mbrëmjen e djeshme në Lezhë janë regjistruar tensione mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Aleancës Euroatlantike.
Në qendër të incidentit kanë qenë nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, drejtori i OSHEE-së në Lezhë, Andi Marku (të dy nga PS), Gjin Gjoni nga PD dhe Eduart Ndocaj nga Aleanca Euroatlantike.
Sipas përfaqësuesve të PS, rruga u është bllokuar qëllimisht nga Ndocaj dhe Gjoni, duke shkaktuar tension mes grupeve.
Nga ana tjetër Gjoni dhe Ndocaj pretendojnë se kane dashur të blejnë vota. Policia ndërhyri menjëherë dhe shoqëroi të gjithë të përfshirët për të dhënë deklarimet e tyre në komisariat.
Kjo ngjarje ndodh vetëm një ditë pas një denoncimi publik nga familjarët e kandidates së PS-së për Lezhën, Klotilda Ndreca. Ata akuzuan Gjin Gjonin se persona të urdhëruar prej tij i kanë kërcënuar me armë në afërsi të banesës.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka publikuar një foto ku shfaqet makina e nënkryetarit Zefi e bllokuar në rrugë, duke akuzuar opozitën për provokime të qëllimshme gjatë fushatës.
