Roja bregdetare greke tha se të dielën (13 qershor) se një prej anijeve të saj patrulluese u “provokua” nga një anije turke. Autoritetet greke thanë se nga incidenti u shkaktuan dëme të vogla.
Njoftimi bëhet një ditë para bisedimeve të paralajmëruara mes udhëheqësve grekë dhe turq në Bruksel.
Incidenti ndodhi në lindje të Egjeut dhe nuk është raportuar për pasoja në njerëz. Incidente të tilla janë të zakonshme në Detin Egje gjatë patrullimeve për të vëzhguar anijet që transportojnë migrantë nga Turqia në Greqi.
Në muajin prill, Greqia e pati akuzuar Turqinë se po synon të “provokojë tensione” në Egje përmes manovrave “të rrezikshme” dhe ndihmës së paligjshme për migrantët. Athina i kërkon Ankarasë që të kontrollojë më shumë rrugët që përdorin migrantët dhe të marrë përsëri qindra azilkërkues që nuk plotësojnë kushtet të fitojnë statusin e mbrojtjes së refugjatit.
Të hënën, kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, do të zhvillojë bisedime me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të një samiti të nivelit të lartë të NATO-s në Bruksel.
Mitsotakis tha të premten se raportet e mira me Turqinë do të varen nga përpjekjet për të ulur tensionet dhe nëse Turqia merr pjesë në mënyrë konstruktive në dialog dhe respekton kushtet e vendosura nga BE-ja” në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin, përfshirë Francën dhe Shtetet e Bashkuara, u përshkallëzuan gjatë vitit të kaluar pasi Ankaraja dërgoi anije kërkimi të gazit në Mesdheun Lindor, duke nxitur reagimin e Greqisë dhe Qipros, të dyja vende anëtare të Bashkimit Evropian.