Luan Baçi denoncoi incidentin në qendrën e votimit të degës së PD në Fier, ku tregoi se policia bashkiake me urdhër të Armando Subashit kishte penguar vijimin e procesit të votimit.

Pas kësaj, ka reaguar kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi. Votimi i referendumit për shkarkimin e Bashës po mbahej në zyrat e Njësisë Vendore dhe ai thotë se nuk ishte në dijeni, por sapo u konstatua u morën masat e menjëhershme dhe Policia Bashkiake pezulloi votimin. Sipas tij, të hënën do të bëhet një analizë e detajuar mbi këtë situatë dhe nëse është e nevojshme do të merren masa administrative.

“Po si mund të bëhet votim partiak në zyrat e njësisë administrative?!! Është njësoj sikur votimi në Fier të kryhej tek zyrat e bashkisë. Të hënën do analizohet si ka ndodhur, do nxirren përgjegjësitë konkrete dhe po qe nevoja do merren edhe masat konkrete administrative. Unë sapo rashë ne dijeni veprova menjëherë”, tha Subashi.