Duke nisur nga muaji tetor, pensionet do të indeksohen me 4.1%, sipas vendimit të fundit të qeverisë shqiptare.
Mirëpo, ky indeksim do të thotë një shpërndarje e ndryshme për secilin nga llojet e pensioneve, duke i qëndruar rritjes shumë të lehtë, krahasuar me nevojat e pensionistëve në Shqipëri.
- VIDEO/ Rama intervistë për mediat italiane: Shqipëria e së ardhmes do të jetë si Italia! Për emigrantët, kostot janë të qeverisë tuaj
Me këtë indeksim, pensionet urbane rriten me afër 752 lekë. Nga 18,241 lekë që është pensioni mesatar, pensionistët në qytet do të marrin muajin tjetër 18,993 lek.
Për qytetarët në zonat rurale rritja është më e ulët, në vetëm 453 lekë. Nga 11,051 lekë që është pensioni mesatar rural, do të shkojë në 11,504 lek.
Në ndryshim nga dy kategoritë më sipër, rritja pak më e madhe është për qytetarët që marrin pensione nga trajtime të veçanta, sikurse ish- ushtarakë, minatorë, naftëtarë etj.
Për ata që përfitojnë 20.000 lekë, rritja është 800 lek. Ndërsa ata që përfitojnë 30.000 lekë, do të marrin 1200 lek më shumë.
- Hetimi parlamentar/ SPAK dha lejen, ish-zv.ministri Rrjepaj dëshmon për “Sterilizimin” në Komisionin e Posaçëm
Nisur nga këto shifra, Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një reagim përmes rrjeteve sociale, thekson se rritja e pretenduar nga qeveria të pensioneve është tallja më e madhe që u është bërë ndonjëherë pensionistëve.
REAGIMI I PLOTË I ERISA XHIXHOS
Rritja e pensioneve është tallja më e madhe që u është bërë ndonjëherë pensionistëve.
Indeksimi me 4.1% nuk kompenson në asnjë moment rritjen e kostove të jetesës.
Mesatarisht, një pension rritet me 752 lekë në muaj, pra vetëm 25 lekë të reja në ditë! Çfarë mund të shtojë një pensionist në tryezë me kaq para? Praktikisht asgjë!
Edhe pse kanë punuar dhe kontribuuar një jetë të tërë, pensionistët janë të varur nga fëmijët emigrantë për ushqimet, ilaçet, energjinë elektrike e ujin.
Frutat dhe mishi janë luks për shumicën dërrmuese të pensionistëve shqiptarë.
Kanë marrë vota qyl nga pensionistët për 11 vite dhe kujtohen tani duke u tallur me një rritje qesharake. Kjo qeveri nuk është e majtë por në funksion të klientëve, oligarkëve dhe krimit të organizuar.
Pensionistët dhe gjithë shoqëria duhet ta ndëshkojë sa më parë këtë qeveri që nuk punon për ta por për një grusht njerëzish duke e bërë Shqipërinë të pajetueshme për qytetarët.