Dramatike situata në Indi. Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë rezultojnë të zhdukur si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm dhe rrëshqitjeve të dheut që kanë goditur shtetin Uttarakhand, në Indinë veriore.

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamje tronditëse nga terreni, ku duken qartë dëmet e mëdha të shkaktuara nga moti ekstrem. Rrugë të bllokuara, banesa të shkatërruara dhe biznese të zhytura në ujë janë vetëm disa nga pasojat e katastrofës.

Uttarakhand është një ndër zonat më të rrezikuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës në Indi, dhe ekspertët mjedisorë i lidhin këto fenomene gjithnjë e më të shpeshta me ndikimin e ndryshimeve klimatike.
Kujtojmë se në muajin gusht, përmbytjet dhe një rrëshqitje masive dheu goditën fshatin Darali në të njëjtin shtet, ku rreth 60 persona rezultuan të zhdukur.