Dy persona, një 38 vjeçar shqiptar dhe një turk u arrestuan nga efektivët e komisariatit nr.1 të Tiranës për një skemë mashtrimi me qëllim përvetësimin e një automjeti luksoz me vlerë 200 mijë euro. 38 vjeçari shqiptar i arrestuar është Elvis Kosova, një personazh i njohur në rrjetet sociale.
Ka qenë shtetasi turk që ka bërë kallëzim të rremë se i kanë vjedhur automjetin në një hotel në Tiranë, duke vënë në lëvizje policinë. Gazetari Ervin Leka raporton se kamerat e sigurisë së hotelit kanë “tradhtuar” turkun, pasi ka rezultuar se nuk ka shkuar atje me automjetin në fjalë.
“Ka qenë hapja e kamerave të sigurisë në hotel. Ka rezultuar që turku nuk ka ardhur me automjetin në zonën që pretendonte se i kanë vjedhur Audin. Ka rezultuar se gjurmët e automjetit kanë humbur në zonën e Berzhitës. Aty është shkëmbyer mjeti dhe e ka marrë Elvis Kosova, duke udhëtuar nga Berzhita për në Prush, ku e ka lënë te banesa e 20 vjeçarit, i cili nuk ka kallëzuar për këtë mashtrim dhe është shpallur në kërkim”, raportoi gazetari Ervin Leka./abcnews.al