INSTAT ka rishikuar me ulje me 0.65 pikë përqindje ecurinë ekonomike të vendit gjatë vitit 2020, kur goditja e pandemisë e çoi vendin në recesionin më të keq që nga viti 1997.

Sipas tabelave të reja të prodhimit të brendshëm Bruto (PBB), sipas metodës së prodhimit, të publikuara nga INSTAT, ekonomia u tkurr me 3.96% gjatë vitit 2020, duke iu afruar parashikimit fillestar të qeverisë prej -5%.
Më herët në publikimin fillestar të INSTAT, rënia ishte vlerësuar në -3.31%.

Sektori që është goditur më rëndë është ai i “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motorçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që u tkurr me bazë vjetore me gati 12.3%. Ky sektor ishte në territor negative përgjatë të gjithë tremujorëve, ku më i rëndi ishte ai i dyti, që përkon me periudhën e karantinës. Në prill-qershor 2020, kur pothuajse gjithçka ishte e mbyllur, tregtia, transportet e shërbimet ranë me gati 27%.

Pas tij, pasojat më të rënda i ndjeu “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”, me një tkurrje prej 7%.

“Aktivitete shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitete të shërbimeve administrative dhe mbështetëse”u tkurrën gjithashtu fort, me -9.6%, të ndjekura nga “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit”, me -4.4%.

“Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale” shënoi një rritje prej 2.4%, e ndikuar nga masat mbështetëse të ndërmarra nga qeveria gjatë periudhës së izolimit për bizneset e individët dhe shpenzimet e shtuara shëndetësore.

Bujqësia arriti t’í rezistonte rënies, duke shënuar një rritje minimale prej 0.3%.

Ndërtimi dhe sidomos pasuritë e paluajtshme nuk deshën tía dinë për krizën pandemike, ndryshe nga gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë reale, duke neutralizuar disi rënien e fortë të aktiviteteve të tjera.
Ndërtimi shënoi një rritje prej 1.88%, pas përmirësimit të fortë në gjysmën e dytë të vitit’, i ndikuar dhe nga rindërtimi pas tërmetit.

Ndërsa “Aktivitetet e pasurive të paluajtshme” u rritën ndjeshëm me 7% në raport me vitin e mëparshëm, duke shënuar ecurinë m ëtë mirë në të paktën tre vitet e fundit, i fryrë nga flukset informale të hyrjes së valutës në vend.

Një vit më parë, ky sektor ishte rritur me 4.6%, ndërsa në 2018-n ra me 0.07%.
Këtë vit, ekonomia po rikuperohet me shpejtësi, e ndihmuar dhe nga heqja e masave kufizuese. Sipas INSTAT në tremujorin e parë 2021 rritja ishte 5.3%.

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që prodhimi i brendshëm bruto të arrijë nivelet e parakrizës që këtë vit, gjithnjë nëse nuk do të ketë supriza në përkeqësimin e valës pandemike./Monitor

(E.H/Faxweb.al)