Të rinjtë dhe intelektualët do të përbëjnë listën e Bindjes Demokratike për qarkun e Elbasanit, ku siç thotë koordinatori dhe kryesuesi i listës, Erjon Murataj, ata do të ofrojnë një model të ri të bërit politikë për qytetarin e jo pushtetarin.
Koordinatori dhe prijësi i listës së Bindjes Demokratike në qarkun e Elbasanit, Erjon Murataj, thotë se intelektualët dhe të rinjtë do të jenë alternativa që ata do tu ofrojnë qytetarëve për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit.
“Lista e Bindjes Demokratike si një alternativë e re, si një alternativë që përfaqëson një brez të ri politikanësh të papërfshirë në aferat korruptive, të pacënueshëm nga ligji i dekriminalizimit, do të jetë një listë që do të përbajë 70% të rinj dhe të reja.”
Murataj prezantoi këtë të dielë Arjan Samarxhiun dhe Erjon Toçin, bashkë me të cilët do të kërkojnë votën e banorëve të Elbasanit, duke ju ofruar një model ndryshe të politikës.
“Do të jenë jo thjesht përfaqësues të denjë të Kuvendit të Shqipërisë pro do të jenë zëri i qytetarëve, kjo është gjëja më e rëndësishme që unë mendoj se i mungon politikës.”
Bindja Demokratike do të garojë me të paktën 15 kandidatë në qarkun e Elbasanit.
Partia Bindja Demokratike e drejtuar nga ish-deputeti demokrat Astrit Patozi do të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.