Interi është shpallur kampioni i Italisë për sezonin 2020/2021 pas barazimit të Atalantas (1-1) në transfertë ndaj Sassuolo në ndeshjen e zhvilluar në Stadio Mapei – Citta del Tricolore.

Skuadra mysafire mbeti me një lojtar më pak që në minutën e 23-të, kur Pierluigi Gollini u përjashtua me karton të kuq.

Me gjithë inferioritetin numerik në fushë, vizitorët ia dolën të shënonin përmes Robin Gosens (32’), i cili mori asist nga Ruslan Malinovsky.

Në gjysmën e dytë, Domenico Berardi barazoi rezultatin me një gol të shënuar nga penalltia (52’).

Nga minuta e 75-të edhe Marlon u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë.

Dy minuta më pas portieri vendas, Andrea Consigli, mbrojti penalltinë e Luis Muriel.

Inter shpallet kampione e Italisë pas 11 vitesh. Kjo është Scudetto e 19 për zikaltërit.