Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi iu përgjigj kryeministrit në interpelancën për mbetjet toksike duket akuzuar qeverinë se nuk po mban asnjë përgjegjësi.
“Ti nuk i dhe përgjigje pyetjes: a prodhohen mbetje të rrezikshme në Shqipëri, ku shkojnë ato, kush i përpunon? Kurum i ka shitur kompanisë “Sokolaj” 2800 tonë mbetje, ku kanë shkuar ato? Mbetjet po kthehen nga Tailanda dhe do vijnë në portin e Durrësit. Ku do ti çosh mbetjet, si do ti rregullosh?”, tha Bardhi.
Sipas tij “Porti i Durrësit është port i një vendi anëtar të NATO-s dhe nuk mund të ngarkojë dhe shkarkojë kush të dojë e si të dojë. Edhe kur të akuzonim për 24 bashkëpunëtorë të tu që janë në burg për shkak se kanë shkelur ligjin, të njëjtën gjë na thoje “ju jeni opozita e plehrave”. Ti vetë nuk mban asnjë përgjegjësi. Kjo çështje nuk ka për t’u harruar se ka të bëjë me jetën dhe shëndetin e qytetarëve”.