Irani ka shënuar një tjetër fitore ligjore në dëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe konkretisht ndaj ish-qeverisë së republikanit, Donald Tramp.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha të mërkurën se do marrë në shqyrtim çështjen e sanksioneve amerikane kundër Teheranit, nisur nga vendimi i SHBA-së i 2018-ës për t’u tërhequr njëanshmërisht nga marrëveshja për programin bërthamor të palës iraniane.

“Me 15 vota pro dhe një kundër pranohet juridiksioni i gjykatës sipas Traktatit të Miqësisë dhe në bazë të depozitimit nga Republika Islamike e Iranit më 16 korrik 2018. Gjykata vlerësoi se pretendimet e SHBA-së nuk janë të mbështetura,” deklaroi gjyqtari i çështjes, Abdulqawi Yusuf.

Nga Teherani, ministri i Jashtëm, Xhavad Zarif, tha se SHBA-ja duhet tashmë t’i rikthehet paktit shumëpalësh për zotimet bërthamore.

Pala amerikane kishte argumentuar se gjykata e OKB-së nuk e kishte për juridiksion ta trajtonte kërkesën e Iranit.

“Megjithëse nuk jemi dakord me arsyetimin e gjykatës dhe Irani mund ta marrë atë në mbrojtje të kauzës së vet, seanca e sotme ishte paraprakja, jo përfundimtarja,” tha zëdhënësi i Departamentit tw SHBA, Ned Price.

Teherani thekson se sanksionet ekonomike të vendosura nga Amerika e kanë rritur varfërinë dhe kanë shkatërruar miliona jetë njerëzish.

Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, ka treguar se është i gatshëm t’i heqë sanksionet dhe t’i rikthehet marrëveshjes bërthamore nëse Irani pranon të ndryshojë disa pika të saj.

“Ia them qartë komunitetit global, sidomos vendeve nënshkruese, qofshin 4+1 apo 5+1 në të ardhmen: nuk ka për të pasur asnjë ndryshim dhe asnjë shtesë. Marrëveshjen nuk e arritëm lehtë. Po të duan ta pranojnë; nëse jo, të shohin jetën,” deklaroi presidenti Hasan Ruhani nga Irani.

ora tv