Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), do të vendosë më 19 korrik për fatin e ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, shkruan neësbomb.al. Togat e zeza e akuzojnë Lulon për fshehje të pasurisë.

Shkak për ketë vendim është bërë mosparaqitja nga SPAK e ekspertizës së kërkuar nga Gjykata mbi bilancin e të ardhurave dhe pasurisë së ish-gjyqtarit. Ky vendim vjen në një kohë që dosja i është kthyer tre herë mbrapsht Prokurorisë Speciale për thellim të hetimeve.

SPAK e akuzon Fatos Lulon për fshehje të pasurisë ç’ka çoi në sekuestrimin e pronës së tij, së bashku me pasuritë e Bashkim Dedjas (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë).

Pak javë më parë, Prokuroria Speciale kaloi për gjykim dosjen për ish-anëtarin tjetër të Kushtetueses Bashkim Dedja, me të njëjtat akuza si Fatos Lulo.

SPAK vendosi sekuestrimin e një dyqani me sipërfaqe 172 m2, në rrugën e “Durrësit” në Tiranë, në pronësi të Fatos Lulos, pasi ish-gjyqtari i Kushtetueses nuk arriti të kalonte as vettingun, për shkak të vendimeve tepër të diskutueshme mbi persona të lidhur me krimin.

Fatos Lulo akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rremë, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.