Nga Marin Mema

Ata ishin dy klerikë, të dy të besimeve të ndryshme. Nga mosha i ndante vetëm pak, sepse njëri kishte lindur në vitin 1873 dhe tjetri në 1871. Sigurisht, fati i tyre ishte i ndryshëm, edhe e shkuara po ashtu, por ajo që i bashkonte më shumë se gjithçka tjetër ishte çështja kombëtare.
At Gjergj Fishta dhe Hafiz Ali Korça njiheshin për miqësinë e tyre të veçantë. Në ato kohë të turbullta, kur ndarjet fetare nuk ishin të pakta, njerëzit habiteshin jo pak kur i shihnin këta dy klerikë që bashkëpunonin pa asnjë vështirësi me njëri-tjetrin.

Nipi i Hafiz Ali Korçës, i cili jeton sot në qytetin e Durrësit, kujton se jo rrallë herë gjyshi i tij paragjykohej, teksa qëndronte me orë të tëra me Fishtën, duke punuar nën dritën e zverdhur të qiririt.
Puna e tij për çështjen kombëtare i kushtoi jo vetëm internimin — fillimisht në vitin 1893 dhe më pas në vitin 1900 — por edhe dhunën verbale e fizike, deri tek goditjet me gurë që i rezervoheshin shpesh nga ekstremistët, teksa ecte rrugës.

Të dy bashkëpunuan shumë herë me njëri-tjetrin, por padyshim një ndër momentet më të rëndësishme ishte pjesëmarrja në Komisinë Letrare Shqipe, të themeluar nga Luigj Gurakuqi në vitin 1916.
Hafiz Ali Korça e konsideronte Fishtën si një ndër pionierët që bënë të mundur shkrimin e gjuhës shqipe, ndërsa takimet me të në vitet 1909–1910 i përshkruan si dëshmi të një miqësie dhe respekti të rrallë.
Është e vështirë të përmbledhësh jetët e tyre, arsimimin, pjesëmarrjet në kongrese, aktivitetet e komisionet, veprat e shumta me autorësinë e tyre, kualifikimet — sepse si At Gjergj Fishta, ashtu edhe Hafiz Ali Korça, gjithçka ia kushtuan aktivitetit kombëtar.

Ata ishin burra që nuk shikonin pushtetin, as përfitimet personale; përkundrazi, shkrinë pasurinë për të realizuar ëndrrën e tyre të vetme: pavarësinë e Shqipërisë. Ky ishte ideali i tyre.
Ishin kohët kur mbi të gjitha qëndronte Kombi.
Uroj që mesazhe të tilla të na bëjnë të kuptojmë sa rëndësi ka bashkimi, sa rëndësi ka puna e përbashkët për Kombin!

Me këtë shkrim, uroj besimtarët myslimane: Gëzuar Kurban Bajramin! Uroj më të mirat për Ju e çdo shqiptar të mirë, të drejtë e të ndershëm.
Shpresoj shumë që fryma e gjigandëve të tillë të shqiptarizmës të na drejtojë sot e gjithmonë. Kemi nevojë për frymën e tyre!

Në qendër të fotografisë është Hafiz Ali Korça me luftëtarë të lirisë! Në tabelën që ai mban në dorë shkruhet “Shqipëri a vdekje”.