KPK ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurores Daniela Sulaj, e cila së fundi ishte komanduar si isnpektore pranë ILD-së, për shkak të problemeve me pasurinë.

Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kaualifikimit e vlerësoi pozitivisht subjektin për sa i përket pastërtisë së figurës. Sulaj e ka filluar karrierën në vitin 2004 si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë. Në vitin 2008 ajo është transferuar në Prokurorinë e Tiranës.

Problemet me pasurinë

Probleme në kriterin e pasurisë u evidentuan në transaksionet e kryera për blerjen e një trualli ku më pas është ndërtuar një objekt me dy kate + papafingo + kat nëntokë; për një apartament; gjendjen cash dhe disa makina – gjetje të cilat u kundërshtuan të gjitha nga prokurorja Sulaj.

Relatorja Qirko sqaroi se Sulaj nuk e ka deklaruar në vitin 2003 të drejtat reale mbi truallin me sipërfaqe 226 m2 në Tiranë dhe shtëpinë e ndërtuar aty. Gjithashtu, u konstatuan mospërputhje mes deklarimeve të mëvonshme të subjektit të rivlerësimit për këtë pasuri dhe burimin e krijimit, me faktet e konstatuara gjatë hetimit administrativ.

Me anë të një kontrate premtim-shitje të vitit 2003, bashkëshorti i subjektit ka blerë truallin me sipërfaqe 333 m2 për vlerën 1.9 milion lekë. Qirko shpjegoi se në kontratën e premtim-shitjes është shënuar se çmimi do të ishte i pandryshuar deri në nënshkrimin e kontratës përfundimtare dhe se vlera 1.9 milionë lekë ishte likujduar në 2003-in. Nga hetimi ka rezultuar se kjo vlerë i është paguar shitësit nga llogaria bankare e vëllait të bashkëshortit të prokurores Sulaj.

Në vitin 2004 subjekti e ka deklaruar këtë pasuri në shumën 1 milion lekë – për pjesën takuese 175 m2, ndërsa në kontatën përfundimtare të shitblerjes të vitit 2013, pasi është kryer rivlerësimi, është shënuar vlera 5.7 milionë lekë.

Gjithashtu, ka rezultuar se në kontratën e shitblerjes trualli figuron me sipërfaqe 450 m2. Pasi trualli është regjistruar si pronë e vëllezëve Sulaj në vitin 2013, në 2016-ën është kryer edhe kontrata e përpjesëtimit të kësaj pasurie, ku në emër të bashkëshortit të subjektit ka kaluar sipërfaqja 226 m2.

Qirko konstatoi mospëpruthje të deklarimeve të subjektit, pasi ajo ka pretenduar se pasuria ka qenë në bashkëpronësi mes bashkëshortit të saj dhe vëllait të vogël që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa veprimet rezultojnë të jenë kryer nga vëllai tjetër që jeton në Shqipëri.

Gjithashtu, u evidentua fakti se Sulaj ka deklaruar se nuk është paguar asnjë vlerë monetare për sipërfaqen shtesë 117 m2. “Është e paqartë përse sipërfaqja e truallit në kontratën e shitblerjes është më e madhe se ajo e kontratës së premtim shitjes së vitit 2003 dhe çmimi është i njëjti”, vërejti Qirko.

Nisur nga këto gjetje, Komisioni konstaton mospërputhje për burimin e pasurisë dhe indicie se në këtë pasuri mund të kenë përkatësi pronësie edhe babai dhe vëllai tjetër i bashkëshortit të subjektit.

Nisur nga fakti se vlera e përcaktuar në kontratën e shitblerjes të vitit 2013 ka qenë në shumën 5.7 milionë lekë; deklarimi i subjektit se në vitin 2003 është shlyer shuma 1.9 milionë lekë dhe se nuk ka pasur pagesa të tjera për truallin, Komisioni ka vlerësuar se vlera e truallit është ajo e rivlerësimit. Sipas Qirkos, nga analiza financiare ka rezultuar se subjekti dhe personi i lidhur kanë qenë në pamundësi për të paguar shumën 5.7 milionë lekë në vitin 2013, pasi rezultojnë me balancë negative 3.4 milionë lekë.

Për shtëpinë janë gjetur dy akt-preventive, një i vitit 2009 dhe tjetri i 2011-ës, që kanë pasur të parashikuar punime në vlerën totale 14.7 milionë lekë. Ndërkohë, nga verifikimi i deklaratave periodike ka rezultuar se Sulaj ka pasqyruar shpenzime për ndërtimin e shtëpisë në shumën 12.4 milionë lekë.

Nga analiza financiare lidhur me shpenzimet për ndërtimin e kësaj banese, ka rezultuar pamundësi vetëm për vitin 2013 në shumën 1.9 milion lekë.