Si rezultat i bashkëpunimit mes Komisariatit të Policisë Rinas, Interpol Tiranës dhe homologëve, finalizohet operacioni policor i koduar “Exit”.
Pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve, në Strugë, kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare, në dalje, dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Maqedoninë e Veriut, 32-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje, për kapjen e shtetasve në kërkim që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga Shqipëria, bazuar në inteligjencën informative, kanë organizuar në bashkëpunim me Interpol Tiranën, operacionin policor të koduar “Exit”. Gjatë këtij operacioni, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Interpol Shkupit, u kap në tentativë për të dalë nga Republika e Shqipërisë dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Maqedoninë e Veriut, shtetasi:
32 vjeç, lindur dhe banues në Strugë, Maqedonia e Veriut.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Shkupi, pasi Zyra e Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin në MV, me vendimin e datës 20.12.2023, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për këtë shtetas, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut.
Ky shtetas akuzohet se gjatë vitit 2023, ka qenë njëri nga organizatorët e një grupi kriminal në Strugë, me aktivitet prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht kokainë dhe kanabis. Lënda narkotike blihej nga bashkëpunëtorët e shtetasit V. E. dhe më pas shitej në Strugë, kryesisht në vende të përcaktuara.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Maqedoninë e Veriut.